Artpolis

“Copë Copë”

 “Bëhu e fortë!”

Çfarë do të thotë të jesh një grua e fortë?

Një grua e fortë që nuk do keqardhje, por respekt. Që qëndron në këmbë edhe kur duan ta nëpërkëmbin. Që lufton dhe sfidon mentalitetin e shëmtuar patriarkal. Një grua të cilën dhimbja e ndanë në copa, por copat i kthen në forcë. Këtë transformim të dhimbjes e pasqyron shfaqja “Copë Copë”

“Copë Copë” është krijuar në vitin 2015 nga regjisorja Zana Hoxha – Krasniqi dhe dramaturgia Blerta Zeqiraj, krijimtari kjo e cila flet për përjetimet e grave dhe pasqyron format e ndryshme të dhunës ndaj tyre.

“Copë Copë” u paraqitë në skenë për herë të parë në vitin 2015, premierë në qytetin e Prishtinës, duke vazhduar rrugëtimin e saj përgjatë po këtij viti në katër komuna: Gjakovë, Prishtinë, Ferizaj dhe Pejë.

“Copë Copë” në vitin 2016 ishte pjesë e Festivalit Rajonal të Artisteve – FEMART, 2016 – Edicioni i IV-të.

Me 8 mars, 2017, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas “Copë Copë” u rikthye në qytetin e Prishtinës në kuadër të “Marshojmë, S’festojmë”në shenjë revolte ndaj mosbarazisë gjinore dhe shoqërore.

Në shtator të vitit 2017 “Copë Copë” u prezantua në Teatrin e Qytetit “Adriana Abdullahu” në Ferizaj.

“Copë Copë” u bë zëri i grave, jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë. Duke i dhënë kuptim thënies: “Mund të mbyllim sytë për gjërat që nuk duam t’i shohim, mund t’i mbyllim veshët për gjërat që nuk duam t’i dëgjojmë por nuk mund ta mbyllim zemrën për gjërat që i ndjejmë”.

“Copë Copë” në kuadër të turneut regjional, në nëntor të vitit 2017 ishte pjesë e festivalit “Othello” në Gostivar – Maqedoni, për të vazhduar rrugëtimin e saj në vitin 2018 në festivalin “Mirëdita, Dober Dan” në Beograd – Serbi, në festivalin EtnoFest në fshatin artistik Kukaj, ku u shpërblye me tri çmime.

“Copë Copë” vazhdoj rrugëtimin e saj, në teatrin “Migjeni” – Shkodër – Shqipëri, për të vazhduar më tej nëJavën e Kulturës Shqiptare” Zagreb – Kroaci, si dhe për të përmbyllur turneun e saj në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” Tiranë – Shqipëri.

Veçantia e “Copë Copë” qëndron në ndjesinë që artistet me performancen e tyre na sjellin rrëfime të shumë grave, flasin edhe për ato gra që kurrë nuk folën për vete, revoltohen për ato që ndryshimi nuk u erdhi asnjëhere, apo edhe kur erdhi ishte ndryshim i vonuar…

Një grua e fortë, e mbijetuar e dhunës sjellë në skenë, rrëfimin e saj personal, duke ndarë me ne ngjarje nga jeta e saj, ngjarje që të rrënqethin trupin e të lëndojnë shpirtin. Por të japin forcën që të mos dorëzohesh asnjëherë.

Këto gra qëndrojnë sëbashku për të na treguar se jo gjithmonë je e pafuqishme ndaj shuplakave që të jep jeta.

Madhështinë e “Copë Copë” e shohim në emocionet e publikut, të cilët rrethojnë aktoret nga tri anët e skenës, për tu bërë kështu pjesë e saj. Duke u ndjerë të pafuqishëm që t’i shuajnë këto dhimbje por të fortë mjaftushëm për t’u përmirësuar, rritur dhe ndryshuar kundrejtë tyre, për t’u përballë me realitetin dhe për të vazhduar përpara, duke reflektuar mbi të.

Performuese janë aktoret e shquara: Melihate Qena, Anisa Ismajli, Donikë Ahmeti, Qendresa Kajtazi, Daniela Markaj, Albina Kelmendi and Bashkime Sulejmani.

diellza

Foto Galeri

Add comment

37Shares