Aktivitetet Panelet e Diskutimit

KIPRED, GLPS dhe Artpolis publikojnë raportin “Qasja në Drejtësi për Viktimat e Dhunës me Baza Gjinore në Kosovë: Përfundimi i mosndëshkimit për Autorët e Krimeve”

3 Dhjetor, 2018

Me 3 Dhjetor 2018 në Biblotekën Kombëtare në Prishtinë, u lansua raporti “Qasja në Drejtësi për Viktimat e Dhunës në Bazë Gjinore në Kosovë: Përfundimi i mosndëshkimit për Autorët e krimeve.”

Raporti analizon ligjet dhe politikat ekzistuese si dhe zbatimin praktik të tyre. Diskutimi ka ilustruar të gjeturat e raportit në vështirësitë e rënda ligjore dhe institucionale me të cilat ballafaqohen viktimat e dhunës me bazë gjinore gjatë përpjekjes për të kërkuar drejtësi. Raporti gjithashtu ofron rekomandime konkrete për institucione relevante. Për publikimin e raportit ishin prezent Zn. Annette Fath-Lihic, Udhëheqëse e Këshilltarëve Politik nga Zyra e Bashkimit Europian, Z. Hilmi Jashari, Avokati i Popullit, Zn. Albulena Haxhiu, Kryetare e Komisionit për Legjislacion, dhe Zn. Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës. Gjatë fjalëve hyrëse, panelistët vlerësuan kualitetin e raportit për të treguar problematikat kyqe lidhur me trekëndëshin polici, prokuri dhe gjykata si dhe qasjen në drejtësinë penale nga viktimat e dhunës në familje, dhunimeve dhe ngacmimeve seksuale. Qasja në drejtësi mbetet sfiduese për viktimat e dhunës në baza gjinore dhe në veçanti Avokati Popullit z. Hilmi Jashari kërkoi zbatimin urgjent të rekomandimeve të ofruara në raport nga institucionet e Kosovës për t’u ndalur mosndëshkimi i autorëve të krimeve të dhunës. Në veçanti Zn. Rogova ceku që raporti ka treguar një realitet të dhimbshëm, pasi ka ilustruar qasjen e dobët në drejtësi për viktimat e dhunimeve dhe te dhunës në familje në Kosovë.

Më tutje, Zn. Ariana Qosaj Mustafa, Drejtore e Programit në KIPRED ka cekur të gjeturat kryesore si më poshtë:

Trekëndëshi Polici, Prokuri dhe Gjykata mbetet i brishtë në ofrimin e qasjes në drejtësi për viktimat e dhunës në baza gjinore në Kosovë duke lejuar mosndëshkimin e autorëve të krimeve ndaj grave dhe vajzave në Kosovë;

Procedurat civile apo lëshimi i urdhërave mbrojtës shpesh përdoren si zëvendësim i ndjekjes penale duke lënë autorët e krimeve të lirë nga përgjegjësia penale;

Procedurat e tanishme te Ko-ordinimit nder-institucional të njohura si Procedurat Standarde të Veprimit (PSV-të) ekzistuese për mbrojtjen nga dhuna në familje nuk përfshijnë vlerësimet e rregullta të rrezikut nga policia gjatë dhe pas raportimit të rasteve të dhunës në familje (Shih Rastin e studimit të vrasjes nga bashkëshorti saj dhe vajzës së Valbona-Marku Nrecaj në raport);

Policia dhe prokuroria e Kosovës bazojnë përgaditjen e rasteve për ndjekje penale të dhunës në familje vetëm në dëshmitë e viktimave duke mos mbledh edhe dëshmi shtesë nga familjarët apo veprimeve dhe deklaratave të viktimës kur ishin në kontakt me policinë, dëshmive fizike dhe mjekësore të mbledhura pas raportimit të krimit në polici ose provave të mbledhura në vendin e ngjarjes nga policia. Presioni social dhe varësia ekonomike nga kryesi i dhunës bën shpesh edhe vet viktimat të tërhiqen nga ndjekja penale dhe mos mbledhja e dëshmive tjera nga prokuroria ex officio shpesh ka dërguar në dështimin e rasteve.

Fakte të rëndësishme:         Kërkesat për paraburgim në rastet e dhunës në familje janë tepër të ulëta. Prej 2,959 kallëzimeve penale në vitin 2016, prokuroria ka bërë vetëm 84 kërkesa për paraburgim (2,8%). Në 2017, paraburgimi u kërkua vetëm në 115 raste (11.3%) dhe në gjysmën e parë të vitit 2018, paraburgimi u kërkua vetëm në 69 raste (5.5%); Në vitin 2017, mbi gjysma e të gjitha kallëzimeve penale lidhur me rastet e dhunës në familje ishin hedhur poshtë (51.6%). Gjatë vitit 2016 ka pasur 94 aktgjykime refuzuese, 62 në vitin 2017 dhe 20 në gjysmën e parë të vitit 2018;

Përpjekjet për ndërmjetësim mbeten të përhapura nëpër institucione të Kosovës. Duke marrë parasysh dinamikën e dhunës në familje, institucionet duhet tërësisht të përmbahen nga përpjekjet e pajtimit të cilat ndalohen edhe me Konventën e Stambollit të Këshillit të Europës kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në famlje;

Sa i përket rasteve të dhunimeve seksuale ende nuk ka procedura standarde të veprimit për krimet që lidhen me dhunën seksuale, gjë që çon shpesh në një reagim të pakoordinuar të institucioneve përkatëse;

Në sistemin gjyqësor, rastet e dhunimeve dhe sulmeve seksuale vazhdojnë të trajtohen dobët gjithashtu, ku gjatë viteve 2015, 2016 dhe 2017 janë raportuar vetëm 15 raste të dhunimeve në tërë Kosovën duke treguar një mosbesim ndaj punës së institucioneve nga viktimat!

Rast për citim nga raporti:  Dy të akuzuar për dhunim ndaj një gruaje 19 vjecare janë liruar përmes aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Gjilan në Vitin 2017. Të akuzuarit ishin akuzuar për dhunimin e një gruaje 19-vjeçare në një dhomë moteli. Të dy të akuzuarit u liruan dhe gjykata deklaroj se nuk kishte prova të mjaftueshme për të provuar se dhunimi seksual ka ndodhur. Vendimi i gjykatës paraqet shumë aspekte të fajësimit të viktimës, duke portretizuar veprimet dhe vendimet e viktimës si arsye të vet dhunimit. Ndër të tjera, vendimi thekson se “viktima, si një grua 19 vjeçare ra dakord të udhëtojë me makinë me shoferin mashkull, pa dhënë një destinacion të qartë për shoferin dhe duke ditur se shoferi ishte i martuar”. Vendimi më tej thotë se, “viktima u pajtua me lehtësi të shkonte në një vend me të akuzuarit që ishin po aq të rinj sa ajo. Duke qenë në një hapësirë të mbyllur me të akuzuarit, do të thotë drejtpërdrejt që viktima ra dakord të angazhohet në aventura seksuale.” Vendimi i gjykatës thekson se “duke mos refuzuar të jetë në atë hapësirë me të akuzuarin, viktima në heshtje pranoi të kishte marrëdhënie seksuale me ta.”

Sa i përket personave LGBT mospërputhja në mes të Ligjit mbi Statusin Civil me Ligjin për Barazi Gjinore dhe Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi shkakton vështirësi të mëdha për personat transgjinor në Kosovë në ushtrimin e drejtës për identitet gjinor

Shumë pak raste të krimeve ndaj personave LGBT që kanë kaluar nëpër sistemin gjyqësor duke treguar edhe mos-seriozitetin institucional të i trajtojnë këto raste me prioritet. Besimi i personave LGBT ngdaj sistemit gjyqësor vazhdon të jetë shumë i ulët me vëtëm një rast të vendosur nga ana e sistemit të drejtësisë lidhur me personat LGBT.

*          Raporti është pjesë e një serie botimesh në kuadër të projektit “Mbrojtja dhe Promovimi i të Drejtave të Njeriut në Kosovë përmes shoqërisë civile aktive” nën Instrumentin Evropian për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, të zbatuar nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Artpolis. Ky raport analizon qasjen në proceset e drejtësisë për viktimat e dhunës në bazë gjinore, duke përfshirë dhunën në familje, dhunën seksuale, sulmet dhe ngacmimet seksuale si dhe krimet e dhunshme kundër komunitetit LGBT.

Linku ne raport: http://www.kipred.org/repository/docs/Qasja_n%C3%AB_drejt%C3%ABsi_e_viktimave_t%C3%AB_dhun%C3%ABs_me_baz%C3%AB_gjinore_n%C3%AB_Kosov%C3%AB_P%C3%ABrfundimi_i_mosnd%C3%ABshkimit_t%C3%AB_autor%C3%AB_528871.pdf

You may also like