Artpolis

KOSOVALIVE360 – “FemArt” i solli frymë feministe Prishtinës

Java që lamë pas u karakterizua me shumë aktivitete, panele, punëtori, promovime librash, shfaqje e koncerte muzikore që u mbajtën në Prishtinë, në kuadër të festivalit të artisteve për të drejtat e njeriut, “FemArt”.

Njëra nga organizatorët e festivalit, Oda Haliti, tregon për KosovaLive se ky edicion i katërt shënoi një rritje të festivalit dhe iu afrua qëllimit, që të ndikojë sado pak në ndryshimin e mentalitetit patriarkal e jo të jetë lokal vetëm për një grup të caktuar të shoqërisë.

“ ‘FemArt’ po rritet çdo vit, dhe ne bashkë me të. Qe nga dita e parë për hapje, deri në mbyllje kam qenë jashtëzakonisht e lumtur me çdo gjë si ka shkuar dhe si eshte pritur. Sinqerisht, jam pak e shokuar që një festival feminist, i vetmi në Kosovë, të pritet kaq mirë. Inkurajim i madh”, thotë Haliti, duke shtuar se beson që ky është rezultat i punës së palodhshme të gjithë stafit,  sepse nuk do të arrinin këtu pa vullnetin, punën dhe dashurinë për festivalin “FemArt”.

Në kuadër të “FemArt” u mbajtën disa panele dhe punëtori, me mysafirë vendorë e ndërkombëtar, që patën në qendër pozitën e gruas në shoqëri, në kulturë e në vendimmarrje.

Një nga vizitorët e festivalit, Arbenita Musa, që e takuam gjatë promovimit të librit “Valsi i mesnatës” të shkrimtares Ilire Zajmi, tha përKosovaLive se “FemArt” po e pasuron jetën kulturore të Prishtinës.

“Një festival si ky mendoj se është shumë i mirëseardhur. Është i veçantë sepse përveç ngjarjeve kulturore që sjellë ka edhe një mision të veçantë, siç është promovimi i barazisë gjinore”, tha Musa.

Në ceremoninë përmbyllëse ky festival i dha çmimin “FemArt” këngëtares së mirënjohur shqiptare, Nexhmije Pagarusha, çmim ky që synon të bëhet tradicional dhe tu akordohet grave që kanë dhënë kontribut të veçantë në fusha të caktuara.

Kryefjala e programit të këtij edicioni të katërt konsiderohet të jetë koncerti i këngëtares së famshme të zhanrit maloya, Christine Salem, e cila erdhi me grupin e saj nga Ishulli Reunion në Oqeanin Indian për të interpretuar në Prishtinë dhe u prit mjaft mirë.

Organizatorët mëtojnë ta vazhdojnë punën me këtë festival, në mënyrë që çdo edicion të promovohen të drejtat e njeriut, barazia e feminizmi.

artpolis

Foto Galeri

Add comment

0Shares