Mediat

KULTPLUS – Rina Kaçinari dhe Jörg Mikula, dyshja që shpalosi jetën në tinguj muzike

29 Maj, 2016

Rina Kaçinari dhe Jörg Mikula, dyshja që shpalosi jetën në tinguj muzike

Publikuar: 2016-05-29 10:50:30

Zëri akustik i instrumenteve dhe aura që e rrethonte Rina Kaçinarin u bashkëdyzuan dhe arritën të sjellin zhanre të ndryshme si xhezi, popi, balada dhe secila këngë u shoqërua me një hyrje nga vetë artistët të cilët treguan histori të jetës dhe dashurisë.

Jeta Zymberi

E ka prekur thellë një histori e një fëmije të humbur, dhe atë nuk ka hezituar ta mishërojë në nota e muzikë. Edhe mëngjeset e saj në ballkonin në Vjenë, pas netëve pa gjumë, nuk ka dashur ti marrë era e harresa.

Rina Kaçinari, violonçeliste e vlerësuar ndërkombëtarisht, ka ardhur mbrëmë në emocione të lakuara në Festivalin FEMART në kryeqytet. Salla e Bibliotekës Kombëtare e ka përthekuar mirë Kaçinarin dhe bateristin e jashtëzakonshëm që e shoqëroi gjatë gjithë kohës – Jörg Mikula. Dyshja, kur mblidhet bashkë barazohet me ritëm, emocion, qetësi, kur këto nuk mund ti përziesh me njëra tjetrën.

Zëri akustik i instrumenteve dhe aura që e rrethonte Rina Kaçinarin u bashkëdyzuan dhe arritën të sjellin zhanre të ndryshme si xhezi, popi, balada dhe secila këngë u shoqërua me një hyrje nga vetë artistët të cilët treguan histori të jetës dhe dashurisë.

Nga balada “Për ty” që bëri shumë nga publiku të qajnë e deri te obsesioni i bateristit me muzikantin britanik Fink të cilit i ka kushtuar një melodi, koncerti erdhi në frekuenca të ndryshme, gjithmonë me dashuri.

“Këto këngë janë jeta ime private dhe kur i tregon të gjitha para publikut natyrisht që emocionohesh shumë sepse e tëra është një ndjenjë që del prej trupit. Balada “Pa ty” ku njerëzit filluan të qajnë është shumë e veçantë sepse është hera e parë që e interpretova para një publiku që e kupton çfarë po them por, edhe në vendet tjera perëndimore ku e këndoj gjuhën shqipe, ata nuk e kuptojnë por prapë qajnë, ky wshtw efekti qw ka muzika ” tha për KultPlus artistja Rina Kaçinari.

Të gjithë instrumentistët mund të luajnë muzikë të ndryshme, por për harkorët ka shumë pak funk music dhe kjo është arsyeja që Rina shpesh shkruan vetë muzikë për instrumentin e saj.
Kënga “Kur hana del”, e që është një pjesë të cilën e njohin pothuajse të gjithë ishte kënga e vetme që nuk ishte kompozim i artistëve por gjithmonë pjesë besnike e e repertorit të Rinës, sepse për të ka një domethënie të veçantë.

“Është një kujtim nga fëmijëria ime e hershme, është një këngë që e kemi kënduar në shtëpi, këngë e cila për mu ka domethënie shumë të madhe sepse ka qenë një nga këngët të cilat i kam kënduar me babin tim kur kam qenë e vogël. Ka më tepër se 30 vjet që ai nuk është më në mesin tonë dhe ky është një kujtim i rëndësishëm në jetën time” tregon artistja.

Rina Kaçinari e cila nuk jeton në Kosovë që 27 vite, shumë e re ka filluar të merret me muzikë. Ajo ishte vetëm 15-të vjeçare kur u largu nga Kosova dhe arsyeja e largimit ishte instrumenti me cilin ajo ekzekutoi edhe sonte. Në atë kohë ajo ishte violinistja e vetme nxënëse në shkollë të muzikës.

“Kam qenë e detyruar të shkoj diku tjetër të mësoj këtë instrument sepse në Kosovë nuk ka qenë situata e mirë. Në atë kohë shkova në Zagreb” tregon Rina.

Kënga e radhës e interpretuar në këtë mbrëmje ishte kënga “Nostalgjia” e cila tregon për ditën kur Rina 15-të vjeçare ka dalë nga Prishtina. Ndarja nga të afërmit dhe vendlindja dhe udhëtimi i saj për në një vend tjetër erdhën përmes një muzike të veçantë dhe një interpretimi të shkëlqyer. Kënga e cila edhe përmbylli këtë mbrëmje ishte kënga të cilën Rina ja kishte kushtuar vajzës së saj, Pias. Një këngë shumë ritmike e cila shpalosi ndjenjën e bukur e të qenit nënë e një vajze dhe falënderimin për këtë bekim.
“Jam shumë e lumtur që jam pjesë e FEMART, ndër të tjera sepse këto ditë isha pjesëmarrëse në secilën ngjarje në FEMART dhe jam aq e lumtur që jam e ftuar dhe nuk kam pasur dyshim që t’i përgjigjem me po ftesës së FEMART”, përfundon Kaçinari.

Ndërsa bateristi Jörg Mikula i cili për herë të parë koncerton në Kosovë u shpreh të jetë tejet i lumtur me këtë koncert dhe me pritjen e publikut.

“Ishte një koncert i mrekullueshëm, njerëzit janë shumë të mirë dhe muzika po pranohej mirë nga njerëzit, kishte një energji shumë të mirë. Mendoj që ishte një sfidë e mirë sepse është vështirë të bësh muzikë vetëm me dy njerëz, chelo dhe bateri, por kjo është një mënyrë e mirë për të nxjerrë muzikë të re dhe ide të reja” tha për KulPlus bateristi Mikula.

Festivali i vetëm feminist në Kosovë, Femart i cili ka filluar më 25 maj, gjatë pesë ditëve sa edhe do të zgjasë do të ofrojë shfaqje teatrale, koncerte, ekspozita, slam poezi, master klasa, pop in talks, panele, punëtori dhe filma nga Kosova dhe më gjerë, të gjitha falas për publikun. / KultPlus.com

You may also like