Artpolis

Monologjet e Vaginës

({})

Leximi skenik “Monologjet e Vaginës” kapi fuqishëm hapësirën e Teatrit Oda për të folur për një nga ‘misteret’ më të mëdha të jetës: Vaginën. E çfarë do të thoshte vagina juaj po të mundë të fliste? “Monologjet e Vaginës” e shtron këtë e shumë pyetje të tjera…

Fillimisht shkruar nga Eve Ensler në vitin 1996, në mes të valës së tretë të feminizmit amerikan, “Monologjet e Vaginës” mori përvoja të jetës reale dhe i transformoi ato në një lojë episodike përplot mjeshtëri. Që nga fillet e saj, “Monologjet e Vaginës” u performua në shumë vende të botës. Me tematika që prekin seksualitetin, marrëdhëniet seksuale, dashurinë e abuzimin, shfaqja është po aq e dhimbshme sa është edhe e fuqishme.

Jo vetëm që leximi ndihmon për të nxitur bisedë rreth feminitetit, por gjithashtu tenton të ngritë vetëdijen rreth abuzimeve seksuale e dhunës në familje që fatkeqësisht janë përjetime të zakonshme për gratë.

Regjisorja e këtij leximi, Zana Hoxha Krasniqi, njëherazi drejtoresha ekzekutive e Qendrës për Art dhe Komunitet – Artpolis, tha se ishte koha ideale për të realizuar këtë lexim duke marrë parasysh se është 20 vjetori i teksit. Tutje ajo deklaroi se përmes mënyrës së saj, drejtoi leximin për të komunikuar me gratë e sotme dhe për të inspiruar vajzat e reja që të duan trupin e tyre. Ndërsa, sa u përket djemve dhe burrave tha se ideja kryesore ka qenë për t’i inkurajuar që të kenë më shumë respekt për nevojat dhe individualitetin e partnerëve të tyre.

“Një nga gjërat kryesore që kam dashur të theksoj është se gratë nuk i përkasin burrave të tyre. Gratë duhet trajtuar si të barabarta në secilën sferë të jetës, përfshirë dhe marrëdhëniet seksuale”, deklaroi Hoxha – Krasniqi. Ndërsa sa i përket Artpolis –it, ky nuk është projekti i vetëm i kësaj organizate që trajton këto tematika. Artpolis që nga viti 2015 adreson jo vetëm ngacmimet seksuale, por edhe stigmën, dhunën në baza gjinore dhe probleme të natyrave të ndryshme që prekin jetët e grave çdo ditë në Kosovë dhe rajon.

“Monologjet e Vaginës” është lexim i rëndësishëm feminist që thekson vështirësitë që gratë durojnë çdo ditë. Gjithashtu nxjerr në pah dimensionet e ndryshme të mentalitetit të përbashkët që duhen tjetërsuar.

Leximi skenik përbëhej nga skica të shumta, secila duke trajtuar tema të veçanta. Leximi i parë nga monologjet, titulluar “Qimet” iu kushtua rregullimit estetik të vaginës, duke kritikuar stigmën që përcjell qimet pubike. Madje, vihet në pah se aq shumë theksohet mirëmbajtja estetike e vaginës në patriarkat sa që aktorja me një buzëqeshje cinike thotë se “… kur shkuam në terapi martesore për çifte, ai [bashkëshorti] tha se më kishte tradhëtuar sepse nuk po e kënaqja më seksualisht. Unë nuk e rruaja vaginën time.”

Kurse tek monologu “Përmbytja”, ku nënkuptohet se personazhi që është nga një brez më i vjetër thotë: [Vagina ime] ndaloi së qenit një gjë që flet shumë kohë më parë. Tani është vend. Një vend ku nuk shkohet”. Nëse shikuesi konsideron se vagina e kësaj gruaje i referohet seksualitetit të saj, atëherë mund të kuptohet edhe mentaliteti i brezit të kësaj gruaje. Seksi nuk ishte një gjë për të cilën flitej hapur më parë. Në përgjithësi, gratë turpëroheshin nga çdo gjë që kishte të bënte me vaginën e tyre. Një shqetësim ende më i madh është se pjesë të kësaj mendësie janë ende mbizotëruese edhe tani. Gratë megjithatë kanë bërë hapa të mëdhenj, veçanërisht në 18 vitet e fundit për sa i përket thyerjes së temave që konsideroheshin tabu; sidoqoftë është e qartë se duhet bërë edhe më shumë kur fjala “vaginë”, që realisht është një term klinik, ende konsiderohet e turpshme.

Më pas, shfaqja u zgjerua më shumë për seksualitetin dhe kënaqësitë seksuale duke mos lënë anash cepet më të errëta të përvojës së gruas, siç është përdhunimi. Monologjet ‘Unë isha aty’ dhe ‘Zogu i vogël që ia doli’ mbushën dhomën me dhimbje e siklet, duke përcjellur me saktësi ndjenja të thella me të cilat shpesh herë refuzojmë të përballemi.

Monologu i fundit, ‘Vagina ime është e nevrikosur’ u performua në një mënyrë veçanërisht të fuqishme. Kjo pjesë ishte thirrje për veprim, duke bashkuar temat e ndryshme të përmendura gjatë shfaqjes dhe duke theksuar rëndësinë e dashurisë si mjet për lidhjet njerëzore.

“Monologjet e Vaginës” mund të jetë prodhimi i vetëm që iu nxit të bërtisni “pidh” me plot fuqinë e mushkërive, por gjithashtu është një nga shfaqjet e pakta që i kontribuojnë mënyrës se si shihet trupi femëror. Me tregime intime, e skenar të mprehtë, “Monologjet e Vaginës” do t’iu lenë të informuar, të kënaqur dhe mbi të gjitha të fuqizuar. Theksi i ‘Monoglogjet e Vaginës’ është tek përqëndrimi në secilën grua në shfaqje dhe si përputhen historitë e tyre në kontesktin më të madh të shoqërisë, asnjëherë si të shkëputura.

Shkruan: Eurisa Rukovci – Artpolis

diellza

Add comment

61Shares