Artpolis

EXPRESS – Në teatrin “ODA” u dha premiera “Çështje zakoni” e regjisores Zana Hoxha-Krasniqit

Kryefamiljari improvizon pushimet verore brenda objektit që del të jetë banesa e re të cilën e ka blerë pa u konsultuar me familjen. Por për të siguruar paratë, krye më vete e ka shitur tokën që ligjërisht u takon edhe vëllait e dy motrave të tij.

Personazhi i quajtur Veton – i cili nëpërmjet humorit e mban më së shumti ritmin e gjallërinë e shfaqjes – është një burrë tipik i rritur sipas zakoneve, që nuk përfill ligjin. Për pikëpamjet e tij, ai sfidohet nga bashkëshortja Afërdita dhe vëllai Vigani, shkruan sot “Koha Ditore”. Dialogët e konfliktet mes tyre shpërfaqin mesazhin e shfaqjes “Çështje zakoni” që u dha premierë të enjten në teatrin “ODA”.

E realizuar në formën e forum-teatrit, si shfaqje interaktive nën regji të Zana Hoxha-Krasniqit, ky projekt vë theksin mbi mentalitetet dhe rolet gjinore që shpeshherë dalin të jenë më të forta sesa ligji. Rrëfimi i familjes Murtezi dhe çështja e ndarjes së pronës së trashëguar, është shoqëruar edhe me një diskutim post-performancës mes aktorëve dhe audiencës së përbërë nga studentë e aktivistë.

Kësisoj audienca është bërë pjesë aktive duke thumbuar dhe diskutuar për çështje që lidhen me trashëgiminë dhe zakonin që vajza të mos marrë hisen e saj nga familja. E realizuar nëpërmjet lojës së aktorëve Kushtrim Qerimi, Donikë Ahmeti, Ermal Sadiku, Qëndresa Kajtazi e Edon Shileku, “Çështje zakoni” gjatë shtatorit do të shpërndajë mesazhin e vetë përtej kryeqytetit.

Regjisorja Zana Hoxha-Krasniqi, njëherësh udhëheqëse e qendrës për art dhe komunitet “Artpolis” ka thënë se kjo qendër e përdor artin dhe në veçanti forum teatrin si një formë për ndryshimin e shoqërisë dhe në veçanti për adresimin e çështjeve tabu dhe atyre për të cilat nuk flitet shumë ose haptazi në shoqërinë tonë.

“Shfaqja ‘Çështje zakoni’ është përgatitur duke marrë parasysh rekomandimet dhe opinionet nga takimet me 200 pjesëtarë të komunitetit (nga 20 komuna të Kosovës) lidhur me sfidat dhe problemet për trashëgiminë e grave dhe reflekton realitetin kosovar”, ka thënë ajo.

Aktorja Donikë Ahmeti ka thënë se për të ka qenë eksperiencë shumë e mirë të bëhet pjesë e projektit “Çështje zakoni”.

“Po më vjen mirë që e kemi marrë një iniciativë të tillë për t’i vetëdijesuar të rinjtë që femra nuk është objekt e as pronë që ta dërgosh në shtëpi. Por është njeri dhe ka të drejta absolute në gjithçka që është në këtë tokë”, ka thënë Ahmeti.

“Çështje zakoni” do të jepet edhe në Gjakovë, Gjilan, Pejë, Mitrovicë, Ferizaj e qytete të tjera. Realizmi dhe prezantimi i shfaqjes “Çështje zakoni” në 15 komuna të Kosovës nga “Artpolis” është në kuadër të projektit “Rritja e ndërgjegjësimit mbi të drejtat pronësore të grave përmes artit” dhe përkrahet në kuadër të Programit Angazhimi për Barazi, i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID dhe implementuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim – ATRC.

artpolis

Foto Galeri

Add comment

0Shares