Artpolis

Shfaqja Forum Teatër “Stigma – Kërko të drejtën tënde” – Rahovec

18.04.2019

Rrugët e qeta të Rahovecit me 18 prill, 2019 u përshkuan nga trupa teatrale e shfaqjes  forum teatër “Stigma-Kërko të drejtën tënde” dhe nga ekipi organizues i shfaqjes nga Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis. Destinimi ishte qendra e kulturës “Mensur Zyberaj” në Rahovec, e cila jo shpesh i është dhënë rasti të bëhet nikoqire e ngjarjeve kulturore dhe artistike. Kjo ishte dita kur performanca e aktorëve të shfaqjes theu heshtjen e rahovecianëve duke i bërë të qeshin dhe të emocionohen gjatë lojës së aktorëve.

Moderimi profesionist, udhëhequr pas performancës, nga regjisorja Zana Hoxha Krasniqi, ua tërhoqi vëmendjen  gjithë audiencës, përfshirë edhe ata të pranishëm që ishin më pak të ‘qetë’ në fillim.

Në një shoqëri patriarkale, ku paragjykimi mbizotëron logjikën, tema e cila u trajtua përmes dialogut nga aktorët profesionistë u ngul thellë në mendjen e publikut. Paragjykimi ndaj zonjës Mira dhe stigmatizimi i saj (aktorja Anisa Ismajli) i krijuar nga antagonisti Agroni (aktori Kushtrim Qerimi) u dënua nga publiku. I biri i zonjës Mira, Dreni (aktori Gani Rrahmani) dhe e bija e Agronit, Ana (aktorja Qendresa Kajtazi), me ngulm kërkonin që t’u lejohet të vazhdonin dashurinë e tyre, pavarësisht se e kaluara e errët e zonjës Mira ishte pengesë për Agronin.

Luftimi i kësaj dukurie, vetëdijësim për të kërkuar drejtësi për ata/ato të cilët përjetuan dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë, si nga ana e shoqërisë ashtu edhe nga insitucionet përkatëse, integrimi dhe përkrahja e tyre në shoqëri ishin mesazhet që u dhanë nga moderatorja e shfaqjes.

Regjisor: Lulzim Bucolli

Moderatore: Zana Hoxha Krasniqi
Aktor/e: Anisa Ismajli, Kushtrim Qerimi, Qendresa Kajtazi dhe Gani Rrahmani.

Kjo shfaqje është krijuar në kuadër të projektit “Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut në Kosovë përmes shoqërisë civile aktive”, Projekt i financuar nga BE-ja dhe i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, nën Instrumentin Evropian për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, zbatuar nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Artpolis, në partneritet me Institucionin e Avokatit të Popullit.

Venera It

Add comment

0Shares