Artpolis

Teatri me bashkëmoshatarë – si urë lidhëse në mes dy komuniteteve 

Ballkani Perëndimor mbetet një rajon i dominuar nga normat patriarkale. Sfida më e madhe për përmirësimin e barazisë gjinore mbetet tek ndryshimi i mentalitetit të grave dhe burrave drejt roleve tradicionale gjinore. Letërsia vazhdimisht ka identifikuar qëndrimet shoqërore si pengesë për arritjen e barazisë gjinore. Në kërkim të zgjidhjeve të problemeve duhet patjetër të fokusohemi në ndryshimin e qëndrimeve njerëzore dhe sjelljeve të ndërlidhura. Kjo gjë më së miri bëhet përmes edukimit – duke zgjeruar aftësinë e njerëzve që të bashkohen në një frymë bashkëpunimi, në një atmosferë ku të mësuarit konstruktiv nga njëri-tjetri është më se i pranuar. Ekziston një proverb kinez që thotë: “Më trego dhe do të harroj. Më demonstro dhe do të kujtoj. Më përfshij dhe do të kuptoj.”

Nuk ka disiplinë që ushqen dhe ndez aftësinë kognitive për të imagjinuar dhe që çliron krijimtarinë dhe bashkëpunimin më shumë se artet dhe kultura. Për më tepër, nuk ka asnjë metodë që thyen barrierat, bashkon përtej dallimeve kulturore dhe angazhon vlerat tona të përbashkëta më shumë sesa teatri. Si investim që na lidh me njëri-tjetrin, na çon në veprim dhe forcon aftësinë tonë për të bërë zgjedhje kolektive, edukimi i bazuar në teatër është një nga shembujt më fantastik.

Artpolis është organizata e parë që ka hapur dyert për edukimin e bazuar në teatër në Kosovë. Që nga viti 2006, për plot 12 vjet, organizon së paku dy herë në vit punëtori të këtij lloji. Është trajnim që mbahet me të gjitha komunitetet e Kosovës. Kësaj radhe është mbajtur me komunitetet shqiptare dhe serbe të Kosovës. Trajnerët energjik e të talentuar për këtë edicion ishin Lulzim Bucolli dhe Daniela Markaj. Oscar Wilde, një nga dramaturgët e poetët më të mëdhenj të Anglisë, është cituar të ketë thënë: “Konsideroj teatrin si formën më të madhe të të gjitha formave të artit, mënyrë e menjëhershme në të cilën një qenie njerëzore mund të ndajë me tjetrin ndjenjën e të qenit qenie njerëzore”.

Shfaqjet teatrale me kohë kanë treguar se kanë ndikim në përmirësimin e qëndrimeve tek të rinjtë rreth sjelljeve të rrezikshme duke paraqitur modele të sjelljeve të dëshiruara. Një nga teoricienët dhe praktikuesit më të rëndësishëm në fushën e edukimit modern ishte Paulo Freire. Ai mbështeti programet e edukimit të rrënjosura në realitetet e komuniteteve të shtypura me qëllim jo thjesht të mësimit, por duke ndërmarrë veprime për të transformuar padrejtësitë që veprojnë në shoqëri.

Ndryshe, Forum Teatri, përdorur gjerësisht nga grupe të ndryshme në pjesë të ndryshme të botës, është një lloj teatri inovativ dhe me ndikim të fuqishëm, krijuar nga Augusto Boal, si pjesë e asaj që ai quan “Teatri i të Shtypurve”. Boal krijoi Forum Teatrin si një forum për t’u mësuar njerëzve si të ndryshojnë botën përreth tyre. Grupi që vëzhgon performancën inkurajohet të ndalojë veprime të ndryshme kur ata mendojnë se është e nevojshme dhe të sugjerojnë një drejtim tjetër veprimi. Në raste të tjera, vetë aktorët mund ta ndalojnë veprimin dhe të kërkojnë ndihmë. Kjo mund të jetë një mënyrë shumë e mirë për të parë se si njerëzit reagojnë ndaj situatave të ndryshme. Forum teatri dhe luajtja e roleve, bazuar në tregime të jetës reale mund të jenë shumë efektive në situata të ndryshme. Në këtë mënyrë, audienca shndërrohet nga spektatore në ‘spekt-aktorë’.

Përpjekjet për të adresuar shkaqet rrënjësore të dhunës me bazë gjinore, si dhe përpjekjet për të ofruar qasje preventive për këto shkaqe kanë qenë disa nga qëllimet e këtij edicioni të edukimit të bazuar në teatër. Përveç kësaj, kjo punëtori ka ofruar hapësirën ideale për të mundësuar mobilizimin e komuniteteve dhe për të mundësuar diskutime jo vetëm mbi dhunën në baza gjinore, por gjithashtu për ndërtimin e paqes multietnike dhe çështje të tjera të ndjeshme që prekin Kosovën. Edukimi i bazuar në teatër synon të vendosë teatrin në shërbim të njerëzve të zakonshëm që duan të identifikojnë zgjidhje të problemeve të ndryshme. E kështu, edukimi i bazuar në teatër ofron një hapësirë për të mësuar në mënyrë joformale. Psikologjikisht është parë se edukimi joformal kontribuon në përmirësimin e qëndrimeve tek të rinjtë jo vetëm ndaj të tjerëve por edhe ndaj vetes së tyre. Trajnimi nuk fillon e përfundon në të njëjtën pikë. Nga të rinjtë që përfitojnë nga punëtoria, aftësitë përcillen edhe më tutje në komunitetet e tyre.

Shkruan: Eurisa Rukovci

Foto Galeri

Add comment

0Shares