Artpolis

Udhëtimi i shfaqjes Forum Teatër "Hisja" – Prizren / Gjakovë / Pejë / Mitrovicë / Hajvali

Analizë e shfaqjes “Hisja”

Për më shumë se një javë, shfaqja “Hisja”, e krijuar nga regjisorja Zana Hoxha Krasniqi,me aktorët Donikë Ahmeti, Ermal Sadiku dhe Kushtrim Qerimi, si bashkëpunim mes Artpolis dhe Rrjetit të Grupit të Grave, u dha në pesë komuna të Kosovës. Kjo shfaqje është e ndërtuar në stilin e shfaqjes Forum Teatër, në kuadër të projektit “ Prona e paluajtshme dhe barazia gjinore” me qëllim të promovimit të regjistrimit të pronës së përbashkët dhe trashëgimisë mbi baza të barabarta gjinore.

Cfarë është një shfaqje Forum Teatër dhe pse u zgjodh kjo teknikë ?

Kjo lloj shfaqje bazohet në një teknikë teatri, zakonisht e indikuar nga forma të ndryshme të shtypjes sociale, e cila fillimisht është përdorur si mjet për të arritur deri te ndryshime politike, por është përdorur edhe në kontekst edukativ . Kjo teknikë thyen barrieren mes performuesve dhe audiences, duke ju dhënë mundësi këtyre të fundit të ndërhyjnë me pyetje dhe komente në konfliktin e karaktereve të shfaqjes.

Arsyeja pse zgjodhëm një teknikë të tillë, për të promovuar temën e trashigimisë në baza të barabarta gjinore, është se edhepse ligjërisht gratë kanë të drejtë të barabartë në pronë, mentaliteti dhe praktika zakonore e kanë shëndrruar në një ligj të pashkruar idenë se ato duhet të heqin dorë nga kjo e drejtë.

Teksti i shfaqjes u krijua përmes improvizimit, bazuar në hulumtimin në terren dhe takimet me komunitetin. Nga ky hulumtim arsyet pse gratë heqin dorë nga e drejta e tyre në pronë janë fillimisht mentaliteti e tradita, si dy me kryesoret, mungesa e informatës se ku mund të drejtohen, praktika gjygjësore, ku shpesh ato ndihet të imponuara të heqin dorë nga pasuria familjare, frika nga gjykimi i familjes dhe rrethit social si dhe edukimi i tyre si fëmijë në bazë të gjinisë e jo si qenie të barabarta.

Shfaqjet e stilit Forum Teatër është dëshmuar të kenë një fuqi shumë ndikuese, sepse prezentojnë një situatë reale për publikun, I cili provokohet të eksplorojë dhe të zhvillojë strategji për zgjidhjen e problemit. Në rastin konkret, në të pesë komunat (Prizren, Gjakovë, Hajvali, Mitrovicë dhe Pejë) ishte e pranishme një audiencë diku rreth 300 vetash, reagimet e të cilës ndryshonin dukshëm prej njërës komunë në tjetrën, dhe edhe për mua si pjestare e një mentaliteti me të cilin jam rritur dhe e njoh, ishin befasuese.

“A pranon ti Flaka, të ja falësh pasurinë vëllaut” është fjalia me të cilën gjykatësi e fillon seancën gjyqësore, të cilën si që e pranon edhe ai vet në përgjigjet e pyetjeve të audiencës, e bazon më shumë në praktikë, dhe të gjithë jemi të njohur me këtë praktikë, e cila gruan e shëndrron në një viktimë, që përveq që shikohet me sy të keq nëse kërkon të drejtën e saj në pronë, duhet të themi me keqardhje qe për familjen dhe shoqërinë konsiderohet vet si pronë, të cilës pas një kohe do t’I ndërrohet pronari. Kështu gjykatësi, si përfaqësues I një sistemi të korruptuar e seksist, e nis konfliktin, përderisa Kujtimi, i cili që në fillim na paraqitet si një djalë modern, që studion aktrimin, i rritur nga prindër artistë, e habit publikun, por edhe të motrën kur të gjitha arsyetimet e tij se përse ai ngulmon që prona i takon vetëm atij dhe kjo artikulohet vetëm me një përgjigje – traditën. “Sepse në këtë tokë ka punu baba jem, e para tij baba i babës tem. Kështu e do tradita, kështu ka qenë gjithmonë” është zakonisht fjalia me të cilën ai përfundon argumentet e tij, çka bie ndesh me frymën moderne që karakteri i tij përçon në fillim të shfaqjes. Kështu tradita bëhet mjeti që burrat e shfrytëzojnë kur u përshtatet dhe rezulton me shumë si një politike shtypëse se sa si vlerë apo parim.

Si feministe do të theksoja perkrahjen e audiencës ndaj karakterit të Flakës, e cila nuk është viktima klasike, përkundrazi, edhepse e predispozuar të jetë një nga gratë e shumta, historia e cilës përsëritet në gjenerata, gjen forcën t’a kundërshtojë këtë sistem pa u ndjerë në faj, cka e hapi edhe një dimension tjetër në reagimin e kësaj audience, ku gra të ndryshme, ndanin storiet e tyre të ngjajshme me Flakën, po për dallim nga ajo, ato ishin detyruar të heqnin dorë nga kjo e drejtë. E megjithatë, nëse ato kanë kaluar nëpër këto peripeci, do të kujdesen për të ardhmen e fëmijëve të tyre, dhe kjo ishte dëshmia më e mirë për efektin fuqizues që kishte shfaqja Forum Teatër “Hisja”.

Deri në shkrimin e ardhshëm,
Dhurata

artpolis

Add comment

0Shares