Artpolis

ZERI – “FemArt”, për të drejtat pronësore të grave

“FemArt”, për të drejtat pronësore të grave

Dafina Kabashi • 29 Maj 2016 • 11:13

Materialet kanë filluar të mblidhen për shfaqjen, dhe bosht do të ketë të drejtën e grave mbi pronën. Shkas për këtë është fakti që në Kosovë, ashtu si në shumë vende të botës ka pak prona e toka në pronësi të grave. Vizitat nëpër komunat e Kosovës do të shërbejnë për subjektin e kësaj shfaqjeje, që premierë do të jetë në muajin shtator. Para shfaqjes “ArtPolis” ka filluar një fushatë mbi këtë çështje, derisa në kuadër të festivalit “FemArt”, ka organizuar debatin “Gratë dhe prona”, moderuar nga Teuta Hoxha.

Zana Hoxha – Krasniqi, drejtoreshë e festivalit “FemArt”, ka thënë për “Zërin” se janë duke mbledhur materiale me të cilat do t’i përdorin për të krijuar shfaqjen në shtator, ndërsa turneu nëpër Kosovë do të vazhdojë prej shtatori deri në dhjetor. “Ajo çfarë na kanë rekomanduar në të gjitha takimet që i kemi pasur, personat e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, është që të punojmë më shumë me të rinj dhe në njëfarë mënyre të vetëdijesohen të rinjtë, në veçanti djemtë që kur motra e kërkon pronën, apo hisen si i themi ne, të mos i duket sikur motra po i merr hisen, por ajo është hisja e saj, ajo që i takon me çdo të drejtë”, ka thënë Hoxha – Krasniqi.

Dardana Mehemti nga “ArtPolis” ka treguar se shfaqja teatrale do të organizohet me artistë profesionistë. “Do të jetë shfaqje forum-teatër, pas së cilës do të ketë mundësi diskutimi në mes të publikut dhe personazheve që janë në skenë”, është shprehur Mehmeti, sipas të cilës do t’i përfshijnë të gjitha moshat në audiencë e sidomos në shkolla. Ajo ka treguar se “ArtPolis” ka filluar implementimin e projektit “Rritja e ndërgjegjësimit për të drejtën e grave në pronë përmes artit”. “Janë duke u zhvilluar disa takime konsultative nëpër komuna të ndryshme të Kosovës me përfaqësues të gjykatave, të zyrave për barazi gjinore nëpër komuna dhe shoqëri civile”, ka thënë Dardana Mehmeti, duke treguar se rekomandimet që kanë dalë në shumicën e takimeve ka qenë se duhet të bëhen sa më shumë fushata vetëdijesuese ku do të përfshiheshin numër më i madh i të rinjve. “Deri tani janë zhvilluar 13 takime, dhe në këto 13 takime vetëm një grua e ka trashëguar pronën dhe atë se prindërit e saj kanë menduar ashtu, që të gjithë fëmijët të trashëgojnë njësoj”, ka treguar Mehmeti.

Sibel Halimi, sociologe, është shprehur se e drejta në pronë është një çështje mjaft komplekse, jo vetëm që bazohet në disa shifra, në kuptimin sa gra po regjistrojnë prona, apo si qëndrojmë me legjislacionin. Sipas saj, kjo vjen si rezultat i shoqërive patriarkale, tradicionale. “Sociologët thonë se padrejtësia kryesore vjen në momentin kur një fëmijë lind, shtrohet pyetja a është djalë apo vajzë. Në momentin kur shtrohet kjo pyetje atëherë sikur ne tentojnë që t’ia krijojmë edhe djemve edhe vajzave një botëkuptim të ndryshëm dhe një mënyrë tjetër të të jetuarit”, ka thënë Halimi. Ajo është shprehur se çështja e trashëgimisë në pronë është e lidhur me sistemin se jemi shoqëri patriarkale, kjo nuk është e mjaftueshme. Sipas saj, shteti me mekanizmat e vet edhe me mënyrën se si i qaset ndryshimit të familjes do të duhej ta ndryshonte. “Problemi i trashëgimisë së grave në pronë nuk ka të bëjë vetëm me sistemin patriarkal, por ka të bëjë me sundimin e dobët të ligjit ku shteti në një farë forme na paraqitet si një burrë, i cili nuk ka vullnet për të ndryshuar dhe për të bërë më shumë në lidhje me çështjen e trashëgimisë së grave”, ka thënë Sibel Halimi.

Leonora Selmani, nga Agjencia për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit, ka thënë se legjislacioni në Kosovë e mbron shumë mirë gruan në të gjitha sferat e jetës, duke përfshirë edhe të drejtën e pronës. “Gratë kanë të drejtë për të poseduar pronë, është nen i veçantë i Kushtetutës së Kosovës, që i jep të drejtë të gjitha grave të Kosovës, ju garanton mbrojtje ligjore për t’i realizuar të drejtat e tyre”, ka thënë Selmani. Përveç Kushtetutës, ajo ka treguar se gratë janë të mbrojtura edhe me ligje, si: ai për familje, për trashëgimi në Kosovë, për barazi gjinore, Ligji Kundër Diskriminimit, Ligji për Prona dhe të drejta të tjera. “Qeveria e Kosovës ka hartuar edhe dokumente tjera, këtë vit është duke u hartuar strategjia kombëtare për të drejtën pronësore dhe objektiv i veçantë është gruaja dhe prona”, ka treguar Leonora Selmani.

Zana Hoxha – Krasniqi ka thënë se arsyeja që kanë vendosur për këtë temë është se globalisht gratë konsiderohen që janë rreth 10 për qind pronare të pronave dhe tokave në mbarë botën dhe Kosova nuk bën përjashtim. “Duke qenë se kjo është prej çështjeve që edhe në Kosovë konsiderohen si çështje të rëndësisë së dytë, ne kemi dashur që në një farë mënyre t’i tërheqim vëmendjen gjithë komunitetit që të hapet diskutimi dhe të flitet për këtë temë dhe të shihet se ku jemi”, ka thënë Hoxha – Krasniqi.

Ajo ka thënë se rritja e festivalit sivjet ka ardhur në cilësi, në numrin e publikut që po vjen duke u rritur çdo vit. “Cilësia dhe kualiteti i programit po i bën njerëzit të kthehen në ‘FemArt’”, ka thënë Zana Hoxha – Krasniqi. Ajo ka thënë se është e lumtur që një numër i të rinjve po e përcjellin festivalin dhe në të njëjtën kohë po kontribuojnë si vullnetarë.

artpolis

Foto Galeri

Add comment

0Shares