Aktivitetet Punëtoritë

20-të artiste/ë të reja/rinj përgatiten për audicione

26 Janar, 2022

25.01.2022

Përgatitja maksimale dhe puna sistematike është ajo që e bën një artiste e një artist të trasojë rrugën drejt sukseseve. Në Teatrin Kombëtar të Kosovës 20 të rinj e të reja, kureshtarë për të mësuar, ishin dje (25.01.2022) pjesë e trajnimit “Përgatitje për audicion”, të parin e këtij lloji në Kosovë.

Ata/ato mësuan mbi elementet më të rëndësishme të audicionit, paraqitjen para jurisë, mënyrën e qëndrimit, komunikimin, gabimet që duhet të shmangen, e mbi të gjitha shpërfaqja e talentit tyre brenda atyre pesë minutave jetikë të bashkëdyzuar me njerëzoren brenda tyre janë elemente thelbësore për një audicion të suksesshëm.

Për lëvizjet skenike, ecjen skenike, vallëzimin, funksionimin në grup, rëndësinë e frymëmarrjes, e gjetjen e qetësisë para një audicioni këta artistë e artiste u trajnuan nga koreografi Robert Nuha, i cili ndau me këta të rinj përvoja personale se si ka arritur të tejkalojë sfidat.

Kurse regjisorja Zana Hoxha, përveç rëndësisë që kanë përgatitja e poezisë, monologut e këndimit, i trajnoi këta të rinj mbi rëndësinë e të qenit artist, peshën e përgjegjësinë që kanë për të shënuar suksese, rëndësinë e integritetit personal e profesional. Teknikat që mund të përdorin kur të jenë para një juria, rëndësinë e hulumtimit, gatishmërinë dhe përgatitjen e vazhdueshme që ata duhet ta kenë.

Nga ana tjetër pjesëmarrësit në këtë trajnim ishin jashtëzakonisht mirënjohës për mundësinë që të bëjnë përgatitje të tillë, të cilën thonë nuk e kanë pasur asnjëherë më parë, për këshillat e përvojën shumë vjeçare që trajnerët e ndanë me ta.

📸 Rilind Beqa

Projekti “Mbështetje për Artin dhe Artistët e Rinj në Kosovën e Post Covid” realizohet nga Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis, mbështetur nga SDC.

#Artpolis #Art #Community #Support #Young #Artists #Kosovo #sdc

You may also like