Forum Teatri

“Ëndrra dhe Shpresa” – Shfaqje e të rinjve

3 Tetor, 2019

20.09.2019, Gjakovë

Si një trupë e vërtetë profesionistësh disa aktorë të rinj, me entuziazëm dhe profesionalizëm përshkuan skena të ndryshme nëpër Kosovë, për të performuar. Angazhimi dhe aktrimi i tyre është produkt i trajnimit “Edukimi i Bazuar në Teatër”, organizuar nga Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis.

“Si ndiheni kur duhet të punoni një punë të cilën nuk e pëlqeni”?, “Pse gjithmonë të ka pëlqyer futbolli”?, “A nuk mendoni për ndonjë profesion tjetër në të ardhmen”?, “Pse i ngatërron pacientët me konsumatorët, a ju ndodh shpesh kjo”? – ishin disa nga pyetjet e publikut, pas performancës së këtyre të rinjve, kësaj radhe në shkollën “Zef Lush Marku” në Brekoc/Gjakovë, me 20.09.2019.

“Lea, Diana, Onati, Dreni dhe Rinori janë 5 të rinj që tregojnë historitë e tyre duke shfaqë pakënaqësitë e tyre lidhur me punën profesionale që ata bëjnë çdo ditë. Nga këta 5 të rinj është vetëm një që me të vërtetë bën punën që pëlqen, duke treguar realitetin e ashpër e një numri të madh të të rinjve në Kosovë. Por, me gjithë sfidat ata na treguan që nëse vërtetë dëshirojmë diçka, nuk duhet ndaluar së ndjekuri ëndrrat tona dhe ti mbajmë ato gjallë”.

Shfaqja synon fuqizimin e të rinjve/rejave duke i dhënë theks të veçantë orientimit në karrierë, duke ngritur vetëdijen mbi rëndësinë e zgjedhjes së profesionit dhe zhvillimin e shkathtësive të nevojshme për plotësimin e aspiratave të tyre profesionale.

Aktoret/ët: Linda Hyseni, Semra Keriq, Ibrahim Berisha, Leotrim Berisha, Muhamet Ademi.
Moderatore: Diellza Bezera

Ky aktivitet u përkrah nga UNFPA Kosovo ndërsa e realizuar dhe organizuar nga Artpolis – Art and Community .

You may also like